23/10/2026
NJOFTIM PËR ANËTARËT E OIRK-së
Njohja e pikëve kredituese për Edukimin e Vazhdueshëm Profesional (EVP)
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) njofton anëtarët e saj se, përveç aktiviteteve të organizuara nga Oda sipas programit vjetor, mund të njihen pikë kredituese EVP edhe për pjesëmarrje në trajnime, konferenca shkencore, seminare dhe aktivitete të tjera profesionale të organizuara nga institucione të tjera, brenda dhe jashtë vendit.
Inxhinierët e licencuar mund të zgjedhin lirshëm aktivitetet profesionale që dëshirojnë të ndjekin, në përputhje me interesat dhe fushën e tyre të licencimit.
Për njohjen e pikëve kredituese, anëtarët mund të paraqesin kërkesë pranë OIRK-së, duke bashkëngjitur certifikatën e pjesëmarrjes dhe programin e aktivitetit. Temat e ndjekura duhet të jenë në përputhje me fushën profesionale për të cilën inxhinieri është i licencuar. Kërkesat shqyrtohen nga Bordi Drejtues, i cili vendos për njohjen e pikëve në përputhje me Rregulloren për Edukimin e Vazhdueshëm Profesional.
Në kuadër të bashkëpunimit për zhvillimin profesional, OIRK aktualisht ka marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi me këto institucione:
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit;
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike;
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë – Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike;
Kolegji UBT, përfshirë Fakultetin e Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë;
Oda e Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Autorizuar të Maqedonisë së Veriut.
OIRK mbetet e hapur për bashkëpunim dhe lidhjen e marrëveshjeve edhe me institucione të tjera të akredituara dhe organizata profesionale, duke siguruar trajtim të barabartë dhe pa favorizuar asnjë ofrues të aktiviteteve profesionale.
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK)