08/01/2026
NGASJA E AUTOMJETIT NË KUSHTE TË SEZONËS SË DIMRIT
Ngasja e automjetit çdo herë duhet të bëhet me kujdes të veçantë dhe përgjegjësi, e posaqërisht në sezonën dimrit, ku kemi mjegull, borë dhe ngrica. Gjatë sezonës së dimrit, paraqiten edhe kushtet dimërore. Me kushte dimërore, nënkuptohen ato kushte kur rruga është e mbuluar me borë ose në rrugë ka akull. Kushtet dimërore, sjellin me vete situata befasuese dhe të paparashikueshme në rrugë, situata të cilat mund të ndikojnë negativisht në sigurinë tonë gjatë ngasjes.
Gjatë drejtimit të automjetit në sezonën e dimrit dhe gjatë kushteve dimërore, duhet ti kemi parasysh këto elemente dhe rrethana:
Përgatitja e automjetit- Nën supozimin që antifrizin dhe baterinë e keni në rregull, e një rëndësie të veçantë është që para daljes me automjet në rrugë të pastroni në mënyrë të përgjithshme të gjithë xhamat e automjetit, ashtu që të sigurohet pamje më e mirë nga automjeti. Pastroni karroserinë dhe pajisjet sinjalizuese. Jo rrallë herë ngasësit, nganjëherë për shkak të ngutisë, pastrojnë vetëm pjesën e xhamit erëmbrojtës para ngasësit, duke mos llogaritur kështu që pamja duhet siguruar të jetë sa më e gjerë. Sigurohuni që të keni me vete furça për pastrim të xhamave, posaqërisht nëse automjeti i juaj u ekspozohet kushteve atmosferike (nuk është në garazhë), e po ashtu edhe fshesat për pastrimin e xhamave të mos jenë në kontakt direkt me xhamin gjatë kohës kur automjeti është i parkuar, sidomos gjatë natës.
Pneumatikët-Ligji i rregullave të trafikut i Republikës së Kosovës, na obligon që në peridhën kohore prej 15 nëntor, deri më 15 mars automjetet të kenë pajisjet dimërore, që përfshinë gomat e dimrit, me thellësi të profilit së paku 4 mm, ose zingjirët në rrotat ngasëse. Çfarë i karakterizon pneumatikët e dimrit? Pneumatikët e dimrit janë të projektuar për t`i përballuar temperaturave më të ulëta se 7 gradë celsius pneumatikët e verës janë projektuar për temperatura më të larta se 7 gradë celsius, kurse pneumatikët për të gjitha sezonat (all-season) janë projektuar për tempertaura prej 0 deri 25 gradeC. Pneumatikët e dimrit janë më të butë, gjë që mundësojnë puthitjen më të mirë me sipërfaqen e rrugës, për dallim prej atyre të verës që janë më të fortë (egër).
Shpejtësia e lëvizjes-Shpejtësia e lëvizjes së automjetit duhet përshtatur kushteve momentale të qarkullimit, rrethanave kohore, gjendjes së rrugës, llojit të automjetit të cilin e drejton dhe në fund aftësive të vet ngasësit. Pra duhet reduktuar shpejtësia e lëvizjes së automjetit. Sidomos duhet pasur parasysh në reduktimin e shpejtësisë në vendet ku paraqiten pjesë të rrëshqitshme të rrugës, ura, kryqëzime etj. Për shembull nëse në kushte kur temperatura e rrugës është 3 gradë celsius, në ura temperatura e sipërfaqes kontaktuese do të jetë -3 gradë celsius, e që paraqet vështirësi në mbajtjen e kontrollit të automjetit, si dhe ndaljen e tij. Shpejtësia duhet ulur edhe në kryqëzime, psh. nëse në një kthesë me rreze të caktuar, në kushte të rrugës së terur do të ktheheshim majtas me një shpejtësi prej 30 km/h, kur sipërfaqja e rrugës është me akull, zvogëlimi i shpejtësisë së automjetit do të duhej të jetë së paku për 10 km.h më i ulët, apo 20 km/h, ndërsa për rrugë me akull maksimumi i shpejtësisë së sigurt është 12 km/h.
Nisja dhe ndalja e automjetit-Nisja e automjetit duhet bërë në mënyrë graduale, pasi që pavarësisht nëse pneumatikët tuaj janë adekuat, nëse nisja bëhet e vrullshme, ju do të keni vështirësi të madhe, e posaqërisht kur rruga ka pjerrtësi gjatësore. Gjatë drejtimit të automjetit tuaj mbani një distancë me automjetin para jush, distancë e cila shprehur në intervalin kohor duhet të jetë së paku 3 s, e edhe më shumë, e po ashtu drejtoni automjetin me shpejtësi të ulët dhe numër të vogël të rrotullimeve të motorit. Nëse automjeti është i pajisur me sistem kundër bllokimit të rrotave, gjatë frenimit këmba në pedalen e frenit do të “dridhet”, kjo për faktin se sistemi ABS nuk i lë rrotat të bllokohen, që është dukshëm frenim më i sigurt se frenimi pa ABS. Në rast të frenimit normal në kushte të sipërfaqes rrugore të rrafshët mbuluar me borë, rruga e frenimit të automjetit do të jetë për katër herë më e gjatë, e që nënkupton që edhe rruga e ndaljes zgjatet. Psh. nëse ju frenoni në kushte të sipërfaqes rrugore me borë (frenim normal), gjatë shpejtësisë prej 50 km/h, rruga e frenimit të automjetit do të jetë rreth 100 m, përderisa rruga e frenimit për këtë shpejtësi në rrugë me sipërfaqe të terur do të jetë 25 m.
Rrëshqitja-Gjatë drejtimit të automjetit kur rruga është e mbualuar me borë apo akull, vjen deri te rrëshqitja, për shkak të pjerrtësisë së rrugës, frenimit të automjetit, si dhe manovrimit me timon. Duhet patur kujdes sidomos në frenim dhe manovrim me timon. Frenim nuk duhet aplikuar, nëse patjetër duhet frenuar, të bëhet frenim i butë. Manovrimi me timon duhet të bëhet të mënyrë të kujdesshme. Në rastin kur automjeti rrëshqet gjatë lëvizjes, keni kujdes: mos frenoni, timonin e ktheni nga ana e rrëshqitjes së automjetit dhe më e rëndësishmja mos t`iu zë paniku.
Tashmë në vendin tonë ka rënë bora e parë, jeni të kujdesshëm, mbroni veten e mbroni pjesëmarrësit e tjerë në rrugë.
Ferizaj, 30/11/2021 MSc.ing.Xhemil Halili